Përfund
Mbasdite shiu shurdhoi qytetin
Fëmijët ranë në koma
(dhe kjo ndoshta ishte zgjidhja më e mirë)
Pastaj rrufetë.
Rashë në burgun e këtij gjumi
i torturuar e i friksuar
nga dritat e befta dhe pasiguria
e pashpjegueshme e vendimeve
të marra nga të tjerët në ndërgjegjien time
Por gjithçka e ka një fund
Dhe çdo njeri një fillim
të ri
Cdo njeri është i aftë për të harruar
Dhe kjo është një mrekulli
Më e madhe se shpresa.
Përfund
Shumë njerëz dhunohen me një kothere bukë
E floriri shkëlqen mbi gjoksin e saj
E asaj që kryen funksionin e dorëmbajtësit
Për të dënuarit që ende hezitojnë
Por të gjithë e dinë
shtëpinë në fund të kësaj rruge
Ku ndahet njeriu nga njerëzia
Në një përzgjedhje farnash e lulesh majëholla
Në një ditë portokalle, plot gjak e pasion.
Një kothere bukë e ndan vuajtjen
Prej shkëlqimit të floririt mbi gjoksin e saj.
Në qytetin e çelikut
Mirësevjen në qytetin e çelikut
Do re mi fabrika
Sol la situatat
e njerëzve
Me gjysëm jete në pranverë
e gjysëm vdekje në dimër
Me autobuza të hutuar
të shtyrë nga kurioziteti ynë
për lëvizjen.
Bashkarisht, barbarisht
Gratë lajnë ndjenjat
një herë në javë
E na mbajnë pastër
Pa dëshiruar asgjë të re
Mirësevjen në qytetin e çelikut.
Kromi shkëlqen diku tjetër.
Floriri mbahet i mbyllur.
e kauçuku bashkon kontinentet.
Autobuzët ngrenë pluhur
deri në dritare
e nuk shihet fare
sakati që marros
gratë me hipertension
“Je me fat o shoku jonë”
Vonon por nuk harron.
Prapë se prapë vonon.
Koha në qytetin e çelikut.