Nga libri i dhimbjeve dhe i kurave pa shërim

 

Nënë, jam i vrazhdë

Me kokën e ulur, me kokën në grazhdë.

Kam krahë, por s’janë veç gurë mbi shpinë

I vogël, i vonë, i bardhë si thinjë

Në kopshtin e syve ka mbirë bar i keq

Ëngjëll allçie katandisë në dreq

Komunikimi, thonë, është çfarë mposht kohën

Por pak, sapak, aspak s’ndodh ndërsa flas me orën

Nënë, jam i lodhur

          jam i harruar

Mos më lër të ndihem

Mos më lër të zgjuar..

 

 

 

Tek kjo derë

 

Ne të dy jemi

Fshehur nën lëkurë

Sy përgjues

Mbi jetën e gjithçkaje

Dy shkrues

Ndëshkues

të çdo devijimi

Prej historive që udhëtojnë mbi një kuptim

Krejt njerëzor

Me një pikë të dobët

Ende të pafshirë

Pas rradhëve, e rradhëve

E rradhëve me trillime.

Ne të dy jemi

Fshehur nën lëkurë

Dy roje

Me ushtat kryqëzuar

Sy më sy

Tek ky prag

dere

Të gurtë.

 

 

 

 

 

 

 

Hero Inn

 

U shpalosën gjethet

Prej gishtave elegante të magjistarit

Kodrave varret u mbuluan nga pemët

Poshtë në qytet u ndje prania e ajrit

 

Një nga një u çelën dritaret

Dyert e kishave u hapën rrugë

kandidatëve më të mirë për tu penduar

                                  ende pa gabuar.

Biçiklistat fërkuan duart nën ujë

            për të fshehur grason

Shitësit e frutave pushuan së ankuari

Berberët ndërruan stacionet e radiove

Sikur e djeshmja të mos kishte qënë kurrë

Sikur e sotmja të ishte vetëm një pikturë

Perfekte. Me lëndina të blerta e shtëpi të bardha

E një lumë të përjetshëm nën urën me gurë.

 

Magjistari zgjidhi gishtat për magjepsjen e rradhës

E gjethet ranë nën lotët dhe duartrokitjet tona.

 

 

 

 

 

Perde e zhubrosur

 

I harbuar është qielli e nuk e di shkakun

Diku, dikush e shtyn në zemërim, dikur

Sot pra qënka dita kur do të përballen

Njeriu dhe qielli, njeriu dhe qielli.

 

Do të ketë mbijetuar, me siguri do të ketë

Do të ketë edhe shumë plagë, mbi e nën retë

Edhe kangë të përvueme, edhe kangë mortore

Njeriu dhe qielli, e midis një poet.

 

 

 

 

 

 

 

E shkurtë në vjeshtë

 

Si krymi mas shiut

Edhe pse i damë dysh

E vazhdon jetën

Tu na u fsheh sysh

Kjo dashni vjeshtore

Marrni amshore

Jeton ndër na

E na, luhena prej saj

 

E na, ruhena prej saj

Si prej nji fatkeqsie, si prej nji mallkimi

Që pakkush si na e ka t’shkruem sysh

Me vazhdue jetët tu u fsheh si krymi

                                    Të damë dysh.