- Hë, ç`ke që m`shef ashtu?
Ai s`tha gjë, vecse vështronte, po ashtu si një çast më parë, përhumbshëm, një pikë të pacaktuar pranë syve të tjetrit. Tjetri lëvizi me padurim, për t`u përmbledhur prapë në të njëjtën pozë të tensionuar, të cilës vetëm një dridhje e lehtë e gishtave që ngërthenin pistoletën ja tradhëtonte sigurinë. Ngadalë, me sigurinë fatale të një eklipsi, tyta e ftohtë e armës iu afrua ballit të tij. Armëmbajtësi tani po i dukej më i vendosur sepse gishtat nuk i dridheshin më, dhe ai mendoi se kishte jetuar gjatë, më gjatë se ç`duhej. Më e keqja ishte se nuk kishte bërë ndonjë gjë që të linte gjurmë. Nuk e dinte përse e kishin kapur, akoma. Nuk i bëhej vonë; të bëhej ç`te bëhej. “Të paktën të isha tamam esëll,” mendoi. Kishte nje kërshëri gati perverse të dinte dhe kuptonte se ç`po ndodhte, ç`do ndodhte me të. Mbështeti ballin pas tytës. Psherëtiu. Tjetri u zbyth ca, u ngërdhesh me vete dhe pastaj ktheu kokën nga shokët e tij, shpërndarë aty afër, si tumorë më të errët se, dhe përngjitur me, hijet e pemëve të parkut.
- Hej, cuna, ky nuk e dashka jetën… Çar t`bojm me kët`?
- Ta vrasim!
- Ta hudhim ke liqeni!
- T`ja presim kokën!
Pa dashje, ai i mendoi këto skenare rrufeshëm. “Hm,” tha me vete, “të jetë kaq e thjeshtë?” Vërtet, ishte. Dikush te vret. Trupi i ndarë prej kokës, apo thjesht i shpuar nga piskamëtherja e një kokërdhoku plumbi, dhe lënë i hallakatur në ndonjë shelgjishtë, si galaktikë e braktisur, me një vrimë të zezë plage si pika në fund te fjalisë, si…Eh, të paktën ashtu i dukej në atë moment. Gjithë duke e fërkuar ngadalë e lehtë ballin pas tytës, ai filloi të buzëqeshë, dhe pastaj, të qeshë me njëfarë ngulçi, i cili atij vetë nuk ju duk larg së qarës, por që në të vërtetë i hutoi krejt zaptuesit e tij. Pistolsi pështyu përtokë. Të tjerët u afruan edhe më. Njëri prej tyre e kapi nga flokët dhe ja ngjeshi kokën prapa, në piedestalin e ftohtë të statujës së rilindasit të madh dhe atij, ashtu sic ishte, i ulur, ju duk gjëja më pa kuptim në botë po të gëlltitej tani. Megjithatë, një komb ju mblodh në grykë. “Kjo qenka frika,” sikur pyeti veten, ndërsa ndjeu shpinën t`i akullohet dhe djersët në pëllëmbë. U gëlltit.
- Thirre Gimin - , tha ai me armë, që tani e kishte ulur armën me gjithë krahun e lëshuar përbri tutave sportive, vija e bardhë e të cilave atij i kujtoi, oh sepse, spitalin. Mes murrëtires dhe fëshfërimës së gjetheve nën këmbë, i zi nga nata dhe me flokë te gjata plot kacurrela si ngërçe te vockla, u afrua ai që duhej të ishte Gimi. I porsaardhuri ja hoqi dorën atij që po e mbante akoma, me një zell te padurueshëm, prej flokesh, dhe pasi u ul dhe vetë përballë tij, i foli me një zë që atij ju duk se hiqej më serioz dhe më i trashë se ç`ishte në të vërtetë.
- Ku e ke shpin`?
Ai ja tha. Tjetri u mendua një hop.
- E njef Turin, - pyeti me të njëjtin ton.
- Po…
- E ka` e njef?
- Nga e motra, - tha ai, cuditërisht me njëfarë kënaqësie të egër.
- Me vërte` e?
Mosbesimi sikur ja holloi zërin tjetrit.
- Domethon` po t`i them un` Turit për ty, ene kto` që m`the, ai ka me t`njof, hë?
- Ëhë. Ik e thirre po deshe, por po e mori vesh e motra…
Mes legjendave dhe rrëfimeve të tjera për bëmat e të fortëve të qytetit, të cilat një pjesë e mirë e popullsisë i përfolte me zell, me frikë, me admirim, me përcmim, urrejtje apo neveri, respekti që i forti i lagjes së tij, Turi, kishte për motrën e vet, ishte yber-legjendar Ai vetë dyshonte se kishte incest në këtë mes, dhe që Turforti i toleronte dashnorët e shumtë të motrës së vet për të mbuluar atë gje, por në fakt, hera-herës, kjo gjë i dukej si një justifikim i mundshëm e njëkohësisht i përcudshëm, që do shërbente ndokur, në aksh gjyq, para aksh jurie, në të akcizë-tën kohë, si alibi, si shpjegim, por më shumë si akuzë, për lëkundshmërinë psiqike të të pandehurit Artur, ish të fortit, përdhunuesit të sa e sa femrave, rrahësin e sakatuesin e shumë meshkujve, vrasësin e ditur të të paktën dy biznesmenëve të rinj të Tiranës, qytetit të gdhirë një vit më parë, si një qënie kripto-zoologjike, mes luspave gjysëm të rëna të totalitarizmit, dhe lëkurës amebase të pluralizmit ideologjik. Ai gromësiu. Gimi u spras dhe u shkreh. Zëri nuk i tingëllonte më si më parë, megjithëse akoma i përvijohej seriozitetit lëkundshëm, si luhatja e akrobatit mbi tel.
- Shif, ne deshëm me t`mor atletet, se i ke t`bukra, po s`kena gjo me ty.
Ai ngeli një çast, sikur të kujtohej ku ishte dhe pse.
- S`ka gjë, - tha – une kujtova vërtet se mos i kisha rënë në qafë ndonjërit. Erdha vetë të ballafaqohem.
- Ai ishte preteksi, lale. Po ti qeke i sinqert`. Herë tjetër mos e ha at` tek.
Gimi sikur po hezitonte për dicka. Fytyra i derdhte skiç një shikim të vëngër, i cili nën ndricim të plotë mund edhe të ngatërrohej me një të metë fizike.
- Ene po na pate rrejt`, kemi me t`gjet` e do t`i q*jm` robt` e shpis, - kërcënoi, gati me ankim, figura e mpiksur nën trungjet e errëta të pemëve.
Atij ju kujtua nëna e sëmurë që e priste te kthehej në shtepi prej kushedi sa orësh, dhe ndjeu papritur ndoht. Ktheu koken nga bulevardi i madh, i cili, bosh dhe i shplarë nën dritën e hënës, i dha ndjesinë therëse se nuk i përkiste më atij, të paktën jo si dikur, jo si dy orë më pare, jo si tani. Ai shkeli mbi pllakat më të afërta te bulevardit pa e lëshuar psherëtimën, e cila kishte aq kohë që kishte rrëmbushur qenien e tij.