- Hë, ç`ke që m`shef ashtu?
Ai s`tha gjë, vecse vështronte, po ashtu si një çast më parë, përhumbshëm, një pikë të pacaktuar pranë syve të tjetrit. Tjetri lëvizi me padurim, për t`u përmbledhur prapë në të njëjtën pozë të tensionuar, të cilës vetëm një dridhje e lehtë e gishtave që ngërthenin pistoletën ja tradhëtonte sigurinë. Ngadalë, me sigurinë fatale të një eklipsi, tyta e ftohtë e armës iu afrua ballit të tij. Armëmbajtësi tani po i dukej më i vendosur sepse gishtat nuk i dridheshin më, dhe ai mendoi se kishte jetuar gjatë, më gjatë se ç`duhej. Më e keqja ishte se nuk kishte bërë ndonjë gjë që të linte gjurmë. Nuk e dinte përse e kishin kapur, akoma. Nuk i bëhej vonë; të bëhej ç`te bëhej. “Të paktën të isha tamam esëll,” mendoi. Kishte nje kërshëri gati perverse të dinte dhe kuptonte se ç`po ndodhte, ç`do ndodhte me të. Mbështeti ballin pas tytës. Psherëtiu. Tjetri u zbyth ca, u ngërdhesh me vete dhe pastaj ktheu kokën nga shokët e tij, shpërndarë aty afër, si tumorë më të errët se, dhe përngjitur me, hijet e pemëve të parkut.
- Hej, cuna, ky nuk e dashka jetën… Çar t`bojm me kët`?
- Ta vrasim!
- Ta hudhim ke liqeni!
- T`ja presim kokën!
Pa dashje, ai i mendoi këto skenare rrufeshëm. “Hm,” tha me vete, “të jetë kaq e thjeshtë?” Vërtet, ishte. Dikush te vret. Trupi i ndarë prej kokës, apo thjesht i shpuar nga piskamëtherja e një kokërdhoku plumbi, dhe lënë i hallakatur në ndonjë shelgjishtë, si galaktikë e braktisur, me një vrimë të zezë plage si pika në fund te fjalisë, si…Eh, të paktën ashtu i dukej në atë moment. Gjithë duke e fërkuar ngadalë e lehtë ballin pas tytës, ai filloi të buzëqeshë, dhe pastaj, të qeshë me njëfarë ngulçi, i cili atij vetë nuk ju duk larg së qarës, por që në të vërtetë i hutoi krejt zaptuesit e tij. Pistolsi pështyu përtokë. Të tjerët u afruan edhe më. Njëri prej tyre e kapi nga flokët dhe ja ngjeshi kokën prapa, në piedestalin e ftohtë të statujës së rilindasit të madh dhe atij, ashtu sic ishte, i ulur, ju duk gjëja më pa kuptim në botë po të gëlltitej tani. Megjithatë, një komb ju mblodh në grykë. “Kjo qenka frika,” sikur pyeti veten, ndërsa ndjeu shpinën t`i akullohet dhe djersët në pëllëmbë. U gëlltit.
- Thirre Gimin - , tha ai me armë, që tani e kishte ulur armën me gjithë krahun e lëshuar përbri tutave sportive, vija e bardhë e të cilave atij i kujtoi, oh sepse, spitalin. Mes murrëtires dhe fëshfërimës së gjetheve nën këmbë, i zi nga nata dhe me flokë te gjata plot kacurrela si ngërçe te vockla, u afrua ai që duhej të ishte Gimi. I porsaardhuri ja hoqi dorën atij që po e mbante akoma, me një zell te padurueshëm, prej flokesh, dhe pasi u ul dhe vetë përballë tij, i foli me një zë që atij ju duk se hiqej më serioz dhe më i trashë se ç`ishte në të vërtetë.
- Ku e ke shpin`?
Ai ja tha. Tjetri u mendua një hop.
- E njef Turin, - pyeti me të njëjtin ton.
- Po…
- E ka` e njef?
- Nga e motra, - tha ai, cuditërisht me njëfarë kënaqësie të egër.
- Me vërte` e?
Mosbesimi sikur ja holloi zërin tjetrit.
- Domethon` po t`i them un` Turit për ty, ene kto` që m`the, ai ka me t`njof, hë?
- Ëhë. Ik e thirre po deshe, por po e mori vesh e motra…
Mes legjendave dhe rrëfimeve të tjera për bëmat e të fortëve të qytetit, të cilat një pjesë e mirë e popullsisë i përfolte me zell, me frikë, me admirim, me përcmim, urrejtje apo neveri, respekti që i forti i lagjes së tij, Turi, kishte për motrën e vet, ishte yber-legjendar Ai vetë dyshonte se kishte incest në këtë mes, dhe që Turforti i toleronte dashnorët e shumtë të motrës së vet për të mbuluar atë gje, por në fakt, hera-herës, kjo gjë i dukej si një justifikim i mundshëm e njëkohësisht i përcudshëm, që do shërbente ndokur, në aksh gjyq, para aksh jurie, në të akcizë-tën kohë, si alibi, si shpjegim, por më shumë si akuzë, për lëkundshmërinë psiqike të të pandehurit Artur, ish të fortit, përdhunuesit të sa e sa femrave, rrahësin e sakatuesin e shumë meshkujve, vrasësin e ditur të të paktën dy biznesmenëve të rinj të Tiranës, qytetit të gdhirë një vit më parë, si një qënie kripto-zoologjike, mes luspave gjysëm të rëna të totalitarizmit, dhe lëkurës amebase të pluralizmit ideologjik. Ai gromësiu. Gimi u spras dhe u shkreh. Zëri nuk i tingëllonte më si më parë, megjithëse akoma i përvijohej seriozitetit lëkundshëm, si luhatja e akrobatit mbi tel.
- Shif, ne deshëm me t`mor atletet, se i ke t`bukra, po s`kena gjo me ty.
Ai ngeli një çast, sikur të kujtohej ku ishte dhe pse.
- S`ka gjë, - tha – une kujtova vërtet se mos i kisha rënë në qafë ndonjërit. Erdha vetë të ballafaqohem.
- Ai ishte preteksi, lale. Po ti qeke i sinqert`. Herë tjetër mos e ha at` tek.
Gimi sikur po hezitonte për dicka. Fytyra i derdhte skiç një shikim të vëngër, i cili nën ndricim të plotë mund edhe të ngatërrohej me një të metë fizike.
- Ene po na pate rrejt`, kemi me t`gjet` e do t`i q*jm` robt` e shpis, - kërcënoi, gati me ankim, figura e mpiksur nën trungjet e errëta të pemëve.
Atij ju kujtua nëna e sëmurë që e priste te kthehej në shtepi prej kushedi sa orësh, dhe ndjeu papritur ndoht. Ktheu koken nga bulevardi i madh, i cili, bosh dhe i shplarë nën dritën e hënës, i dha ndjesinë therëse se nuk i përkiste më atij, të paktën jo si dikur, jo si dy orë më pare, jo si tani. Ai shkeli mbi pllakat më të afërta te bulevardit pa e lëshuar psherëtimën, e cila kishte aq kohë që kishte rrëmbushur qenien e tij.

30 Korrik 2008 më 9:30 am
urime per stilin dhe figurat, brilante!
me ngjan se ka disa episode dhe fenomene te verteta, jo domosdoshmerisht me protagoniste te njejte, ne kete subjekt!
pershendetje!
30 Korrik 2008 më 4:54 pm
drejt tropojes,
flm per fjalet e mira dhe kohen e kushtuar - ai ishte dhe qellimi im, qe tregimi te dilte i besueshem, i vertete… pershendetje
30 Korrik 2008 më 10:01 pm
Dara shterngon mbi mish nate, vende-vende ajo zbutet, mendoj nga qe fillimi duhej te godas me ftohte (ftohtesi metalike). Krijoj nje konfort si lexues qe me shqeteson ne kurajon qe me nxitet me shume se nji here, per te drejtuar(kuptuar-treguar) rrefimin.
Me qe fut ne fund nenen per te kthjelluar trubulliren e jetuar, plus edhe sa i shkurter rrefimi eshte, me lindi ndjenja e plotesimit te nji metafore per nenen qe si u permend ne mbyllje, per mua; si njera buze e dares, ashtu mund te ish nena futur ne fillim, si tjetra buze metalike dare ne situate.
Por, per tu vecuar jane pasuria ne detaje me ngarkes e fines e kthjelltesise qe figuracioni mbart. p.sh. Fytyra i derdhte skic nje shikim te virgjer.
31 Korrik 2008 më 7:36 am
@losttext,
me shume sesa i besueshem, ky fragment me ngjau perkues me disa ndodhi per te cilat rrethanat dhe puna me kane lejuar ti njoh ne detaje, dhe vertet, ky subjekt i sjelle mjeshterisht ketu permes frazash brilante dhe figurash te gjetura e origjinale, perkon, perkon plotesisht me disa prej atyre episodeve per te cilat po flas…pershendetje!
31 Korrik 2008 më 7:54 am
Vemendje,
Sygjerimi juaj me pelqen, qe te perdorej nena ne fillim te tregimit, ashtu sic permendet edhe nga fundi. E mendova ate gje, dhe ne vend te nenes, thashe te perdor psheretimen, te cilen protagonisti ne fillim e nxjerr, kurse ne fund fare, jo. Keto jane detaje te vogla, qe per mua kane rendesi te dores se pare. Flm!
Drejt Tropojes,
e vertete, gjate asaj kohe ishin te rendomta aktet e dhunes mu ne mes te publikut, grabitjet nga bandat, rrahjet e perdhunimet, ndoshta ndaj dhe ky tregim i shkurter tingellon kaq i vertete (besoj). Mua me intereson ky subjekt sepse aty dhe u pa kultura apo rezistenca e jone si popull, ose me sakte “semundja” e tij, frika, raja-izmi, perulja para dhunes. Dmth aq dekada rregjimi nga regjimi totalitarist e kishin bere te veten. Me vone e pame te gjithe sesi ishin elemente nga keto banda, te fortet dhe ata te frymezuar prej tyre, qe perhapen krimin duke rrembyer femrat dhe detyruar ato te prostituonin, vrasjet, droga, badigardizmi i politikaneve etj etj.
2 Gusht 2008 më 12:55 am
“ishte yber-legjendar
Me çin flet kshtu ti mer?
Kishe gjë me y(z)ber-ishtin tija?
P.s:Po ta analizonte ndonjë Analist kët personazhin tat do ta cilësonte:
-gjakftohtë
-kalkulues maniakal i detajeve në çdo situatë
-i aftë të gënjejë me mjeshtëri dhe besueshëm
shkurt muhabeti: Tendencialmente një killer mjaft i rrezikshëm, që nuk do të ezitonte të vriste këdo dhe pa ju dridhur asnjë nerv nëse ndokush tjetër do të guxonte ti shikonte atletiket e reja pas asaj dite
2 Gusht 2008 më 7:17 am
Tashti edo, pertej shakase tende, interpretimet mbeten te shumellojshme, edhe kur vjen puna ke proza. Mua s`me duket vecanerisht sic thua ti, sepse ky personazhi jo me kot eshte pak i dehur, nuk tregon te gjitha detajet, doemos ka edhe frike, e cila e shtyn te genjeje, e keshtu me radhe.
Pershendetje!