proze


proze30 Kor 2008 01:00 am

- Hë, ç`ke që m`shef ashtu?
Ai s`tha gjë, vecse vështronte, po ashtu si një çast më parë, përhumbshëm, një pikë të pacaktuar pranë syve të tjetrit. Tjetri lëvizi me padurim, për t`u përmbledhur prapë në të njëjtën pozë të tensionuar, të cilës vetëm një dridhje e lehtë e gishtave që ngërthenin pistoletën ja tradhëtonte sigurinë. Ngadalë, me sigurinë fatale të një eklipsi, tyta e ftohtë e armës iu afrua ballit të tij. Armëmbajtësi tani po i dukej më i vendosur sepse gishtat nuk i dridheshin më, dhe ai mendoi se kishte jetuar gjatë, më gjatë se ç`duhej. Më e keqja ishte se nuk kishte bërë ndonjë gjë që të linte gjurmë. Nuk e dinte përse e kishin kapur, akoma. Nuk i bëhej vonë; të bëhej ç`te bëhej. “Të paktën të isha tamam esëll,” mendoi. Kishte nje kërshëri gati perverse të dinte dhe kuptonte se ç`po ndodhte, ç`do ndodhte me të. Mbështeti ballin pas tytës. Psherëtiu. Tjetri u zbyth ca, u ngërdhesh me vete dhe pastaj ktheu kokën nga shokët e tij, shpërndarë aty afër, si tumorë më të errët se, dhe përngjitur me, hijet e pemëve të parkut.
- Hej, cuna, ky nuk e dashka jetën… Çar t`bojm me kët`?
- Ta vrasim!
- Ta hudhim ke liqeni!
- T`ja presim kokën!
Pa dashje, ai i mendoi këto skenare rrufeshëm. “Hm,” tha me vete, “të jetë kaq e thjeshtë?” Vërtet, ishte. Dikush te vret. Trupi i ndarë prej kokës, apo thjesht i shpuar nga piskamëtherja e një kokërdhoku plumbi, dhe lënë i hallakatur në ndonjë shelgjishtë, si galaktikë e braktisur, me një vrimë të zezë plage si pika në fund te fjalisë, si…Eh, të paktën ashtu i dukej në atë moment. Gjithë duke e fërkuar ngadalë e lehtë ballin pas tytës, ai filloi të buzëqeshë, dhe pastaj, të qeshë me njëfarë ngulçi, i cili atij vetë nuk ju duk larg së qarës, por që në të vërtetë i hutoi krejt zaptuesit e tij. Pistolsi pështyu përtokë. Të tjerët u afruan edhe më. Njëri prej tyre e kapi nga flokët dhe ja ngjeshi kokën prapa, në piedestalin e ftohtë të statujës së rilindasit të madh dhe atij, ashtu sic ishte, i ulur, ju duk gjëja më pa kuptim në botë po të gëlltitej tani. Megjithatë, një komb ju mblodh në grykë. “Kjo qenka frika,” sikur pyeti veten, ndërsa ndjeu shpinën t`i akullohet dhe djersët në pëllëmbë. U gëlltit.
- Thirre Gimin - , tha ai me armë, që tani e kishte ulur armën me gjithë krahun e lëshuar përbri tutave sportive, vija e bardhë e të cilave atij i kujtoi, oh sepse, spitalin. Mes murrëtires dhe fëshfërimës së gjetheve nën këmbë, i zi nga nata dhe me flokë te gjata plot kacurrela si ngërçe te vockla, u afrua ai që duhej të ishte Gimi. I porsaardhuri ja hoqi dorën atij që po e mbante akoma, me një zell te padurueshëm, prej flokesh, dhe pasi u ul dhe vetë përballë tij, i foli me një zë që atij ju duk se hiqej më serioz dhe më i trashë se ç`ishte në të vërtetë.
- Ku e ke shpin`?
Ai ja tha. Tjetri u mendua një hop.
- E njef Turin, - pyeti me të njëjtin ton.
- Po…
- E ka` e njef?
- Nga e motra, - tha ai, cuditërisht me njëfarë kënaqësie të egër.
- Me vërte` e?
Mosbesimi sikur ja holloi zërin tjetrit.
- Domethon` po t`i them un` Turit për ty, ene kto` që m`the, ai ka me t`njof, hë?
- Ëhë. Ik e thirre po deshe, por po e mori vesh e motra…
Mes legjendave dhe rrëfimeve të tjera për bëmat e të fortëve të qytetit, të cilat një pjesë e mirë e popullsisë i përfolte me zell, me frikë, me admirim, me përcmim, urrejtje apo neveri, respekti që i forti i lagjes së tij, Turi, kishte për motrën e vet, ishte yber-legjendar Ai vetë dyshonte se kishte incest në këtë mes, dhe që Turforti i toleronte dashnorët e shumtë të motrës së vet për të mbuluar atë gje, por në fakt, hera-herës, kjo gjë i dukej si një justifikim i mundshëm e njëkohësisht i përcudshëm, që do shërbente ndokur, në aksh gjyq, para aksh jurie, në të akcizë-tën kohë, si alibi, si shpjegim, por më shumë si akuzë, për lëkundshmërinë psiqike të të pandehurit Artur, ish të fortit, përdhunuesit të sa e sa femrave, rrahësin e sakatuesin e shumë meshkujve, vrasësin e ditur të të paktën dy biznesmenëve të rinj të Tiranës, qytetit të gdhirë një vit më parë, si një qënie kripto-zoologjike, mes luspave gjysëm të rëna të totalitarizmit, dhe lëkurës amebase të pluralizmit ideologjik. Ai gromësiu. Gimi u spras dhe u shkreh. Zëri nuk i tingëllonte më si më parë, megjithëse akoma i përvijohej seriozitetit lëkundshëm, si luhatja e akrobatit mbi tel.
- Shif, ne deshëm me t`mor atletet, se i ke t`bukra, po s`kena gjo me ty.
Ai ngeli një çast, sikur të kujtohej ku ishte dhe pse.
- S`ka gjë, - tha – une kujtova vërtet se mos i kisha rënë në qafë ndonjërit. Erdha vetë të ballafaqohem.
- Ai ishte preteksi, lale. Po ti qeke i sinqert`. Herë tjetër mos e ha at` tek.
Gimi sikur po hezitonte për dicka. Fytyra i derdhte skiç një shikim të vëngër, i cili nën ndricim të plotë mund edhe të ngatërrohej me një të metë fizike.
- Ene po na pate rrejt`, kemi me t`gjet` e do t`i q*jm` robt` e shpis, - kërcënoi, gati me ankim, figura e mpiksur nën trungjet e errëta të pemëve.
Atij ju kujtua nëna e sëmurë që e priste te kthehej në shtepi prej kushedi sa orësh, dhe ndjeu papritur ndoht. Ktheu koken nga bulevardi i madh, i cili, bosh dhe i shplarë nën dritën e hënës, i dha ndjesinë therëse se nuk i përkiste më atij, të paktën jo si dikur, jo si dy orë më pare, jo si tani. Ai shkeli mbi pllakat më të afërta te bulevardit pa e lëshuar psherëtimën, e cila kishte aq kohë që kishte rrëmbushur qenien e tij.

proze13 Kor 2008 07:06 pm

- Shtepia e kujt eshte kjo, - pyeti Ela, duke iu puthitur trupit te Ardit nga pas me koketeri. Ai po mundohej te gjente celesin e duhur mes erresires se shkallines se pallatit.

- E Gencit, - tha ai, si duke u menduar me vete, - prinderit i ka ne Danimarke - .

E hapi me ne fund deren, ne te njejten kohe qe me berrylin e majte ngertheu shishen e veres qe po i rreshkiste nga brenda xhaketes xhins. Apartamenti mbante nje ere te ndenjur por te ngrohte braktisjeje, sikur nga casti ne cast banuesit do ktheheshin aty dhe do hapnin dritaret. Ardi mbylli krejt nje perde gjysem te hapur, tamam ne momentin qe perceptoi nje ndjenje te bezdisur dejavu-je. Ndezi te gjitha dritat qe mundi te gjente. Kishte deshire te shihte qarte.

- Qenka i madh, - tha Ela. Ajo u beri nje inspektim te shpejte dhomave te apartamentit dhe u kthye per t`iu ngjitur atij pas trupit, prape, kete here edhe duke e puthur neper qafe. Ardi nuk reagoi. Vazhdoi te merrej me shishen e veres dhe me gotat qe kishte gjetur ne bufe. Kacurrelat e verdha te Eles e ndiqnin gjithandej.

- Ve ca muzike, - tha Ardi.

- Per ca je ne qejf?

- Ka xhaz?

- Ku di une…

- C`te duash, atehere.

Kundrejt qetesise se apartamentit, muzika e “Lady in Red” u perhap me rrathe te plleshem nen shplarjen e ngecgrykshme te dritave. “Te pakten kjo vera te jete e mire, shume e mire,” mendoi Ardi, duke e derdhur pak si me mllef lengun e kuq, gellq-gellq, nga gryka e shishes ne gropthat qelqane te gotave. Ela u afrua, shend e vere, dhe mori njeren gote duke e ngritur drejt buzeve te saj, ne te njejten kohe qe perendoi syte po me ate koketerine e fillimit, por tani me seriozisht, derisa syte e saj u bene krejt serioze kur tehu hollak i gotes preku lehte buzen e saj te poshtme.

- Per cfare do pime, - pyeti, me tehun e gotes ne buze, duke u munduar te nenqeshe me shume me kacurrelat e saj sesa me buzet.

- Per Danimarken, - tha ai, gjysem me shaka.

- He, mos u tall!

- Po ja, per ty, poeteshen, Kleopatren e poezise shqipe…

- Tallu, ti, tallu, po une e botova librin e dyte me poezi.

- Ehe, s`me kishe takuar mua, prandaj, - tha Ardi dhe e mbertheu Elen pas belit per t`a ngjeshur pas vetes. Mishtore, e nxehte, e ashper dhe e rende, gjuha e saj kerkonte te tijen permjet kater buzesh qe putheshin, kafshoheshin e thitheshin sipas kadencave te nje ritmi te paskrupullt ne improvizimin e tij.

- E mire kjo vera, - tha Ardi, pa bindje.

- Sidomos e shijuar nga buzet e tua, - shtoi ai me perkujdesje, duke e ulur zerin ne oktaven e duhur te intimitetit.

- Prit sa ta provosh sa e mire behet nga pjese te tjera te trupit tim, - tha Ela, dhe sikur kjo gje te ishte e mundur, i perendoi akoma me tej syte e saj te bajamte. Ajo filloi te zberthente kopsat e bluzes se vet me njefare ngadalesie joshese qe ndillte shkulje e grisje. Ardi e beri. Ja corri anet e bluzes dhe kopsat fluturuan e rane me ca trokellima te thata pupthore mbi tavoline, karrige dhe dysheme, e madje njera pellciti si minibombe ne syprinen kuqerremto-veshtullore te cipes se veres perposh grykes se ngushte te gotes. Ela harkoi shpinen dhe drita lau plotesisht gjinjte e saj majucake. Te forte, thithat e gjinjve nxinin mu si ngjyrimi i veres. Ardi evitoi tundimin per t`i kafshuar dhe e ngertheu Elen pas kofsheve duke e ngritur peshe ne ajer. Gjithe duke u puthur, u drejtua nga dhoma e gjumit, ne te cilen shtrati kelthiste, stoikisht por padurueshem, ngucjen e tij horizontale. E plandosi mbi te dhe po e shihte me ngulm ne sy, sikur te perpiqej te shihte ne ngjallmin e shpirtit te saj, thelle, thelle, mes anesh abrazive, poroze e te lageshta, ne te cilat mendimi nuk ngerthehej e nuk kapej dot me fjale, kunderpergjigjen e ferkimit te atij casti, dhe aty e gjeti, po aq te nxehte, te lagesht e fluid, per nje cast, zmerilor, si therja e kenaqesise se grahjes se shtytjes fallusore. “Pusht,” tha me vete Ardi, “tradhetar.”

*vijon

proze01 Pri 2008 10:38 pm

      Ata ishin tre vete. Bardhesia e rrobave te tyre vezullonte percudshem nen ate qiell te shtremberuar nga rete e hirta plot shi. Ne mes te tyre ishte nje qenie, e cila (ndersa afrohesha, e pashe me kujdes) m`u duk si njeri. Te tre bardhetaret ishin perkulur mbi te, nderkohe qe ai qendronte ndenjur, si mbi nje karrige te padukshme. Toka kerciti mbyturazi nen hapat e mi te fundit, si renkimi i pashprese i atij qe kerkon ndihme nen germadha. Tamam ne ate cast, njeriu  ne mes leshoi nje britme ngjethese. Tre bardhetaret e mbajten fort. Vetem atehere vura re se trupi i qenies-njeri ishte i mbuluar nga nje shtrese e cuditshme, si koral i lashte ngjyre mavi` te erret. Zgjata koken te shihja me mire. Nga vendi ku ishte shkulur ajo cope si koral, me nje ngjyrim qe vazhdimisht shuhej brenda vetes, dukej lekura e njeriut te cuditshem.

      Ai qe mbante ne dore copen e porsashkulur drejtoi trupin (c`trup te gjate qe kishte!) dhe me veshtroi ftohte ne bebe te syrit. “C`ka bere ky njeri,” e pyeta qetesisht. Ftohtesia qe me pare i akullonte vetem veshtrimin, tani m`u duk se iu perhap ne te gjithe muskujt e tendosur te fytyres, duke bere qe ajo fytyre te percillte saktesisht e po aq percudshem, pershtypjen e nje ngrirjeje polare. Tamam ne castin kur i humba shpresat per ndonje fjale njerezore nga ai akull i fytyrosur, buzet e tij levizen ngadale. “As-gje,” tha ai duke i ndare rrokjet, dhe perkuli trupin si te tjeret mbi njeriun e mbuluar nga koraca e tejhabitshme.  Te tre rifilluan me nje zell kirurgjikal te shkulin copat e saj. Per cudi, ato shkuleshin aq lehte dhe natyrshem saqe, po te mos shihja mundimin e bardhetareve per te ngerthyer njeriun pas cdo shkuljeje, nuk do t`i besoja ato britma ngjethese te ketij te fundit.

      “Por c`jane keto qe shkulni,” i pyeta kur britmat e njeriut u shuan njera pas tjetres. Ai me i gjati me pa nje grime dhe uli koken serish. “Parafjale,” tha pastaj. “Si,” pyeta, ndersa ndjeva se dicka u fik brenda meje. “Parafjale,” perseriti si me egersi nje tjeter bardhetar. Une u mpiva krejt. Kur, papritur, vura re se ne floket dhe mjekrrat e tre bardhetareve kishte filluar te mbinte po ajo shtrese si koral i vjeter, ngjyre mavi` e erret. “Zoterinj,” thashe me ze te mekur. Ata nuk i ngriten kokat. “Zoterinj, edhe juve po ju dalin parafjale,” thashe me po ate mekje ne ze. “Cfare?” “Si?” “Si?” Trupat e tyre u zgjaten kercenueshem drejt meje. Filluan te me dilnin (hm, parafjale?) djerse te ftohta. Papritur, ne fytyrat e tyre te ngrysura, ku shtresa tani u ishte bere si krife luani, pashe nje nenqeshje ironike. Ajo shume shpejt u shnderrua ne nje te qeshur me ze te larte dhe, sa me frikshem me kumbonte ne veshe e qeshura, aq me shume u rritej shtresa e erret si koral, midis te ciles, krejt lakuriqe, e zbehte si pergamene shekullore qe s`ndjell vecse harrim, u faneps nje cast dhe u zhduk serish, figura e kobshme e njeriut te vdekur.

Next Page »